logo_mkd_jpg_copy
prijavi_korupcija1

TI - Macedonia

Aktual

* Zyra për këshilla juridike të “Transperencë – zero korrupsion “ shpall se do të jetë e hapur për qytetarët.

** Me të gjithë qytetarët e interesuar të cilët dëshirojnë të lajmërojnë për raste lidhur me korrupsionin, do të bisedojnë këshilltarë juridikë

***  Të gjitha takimet duhet të caktohen paraprakisht. Zyra nuk të proçedojë me lajmërime anonime.

Login Form






Keni humbur fjalëkalimin?

Lajme

  rss.2.0.gif
 
plakat-bunar-bez-dno-alb-we.jpg
   
Lajme arrow Lajme arrow INFORMATOR ALARMON PËR KRIM MILIONËSH
whistleblowers-al.jpg
INFORMATOR ALARMON PËR KRIM MILIONËSH Printoni E-mail
whistleblowers-al.jpg
 
Qeveria harxhoi mbi 4 milionë euro që ta humbë “Agropllod”?!

21.10.2016 Kompania “Agropllod” ishte temë e interesit publik kur u krye privatizimi i saj në vitin 2006. Qeveria e LSDM-së e shiti, kurse partia tjetër në pushtet VMRO-DPMNE e kontestoi dhe e anuloi shitjen. E pastaj, në vend që të mbajë kompaninë, harxhoi miliona nga buxheti shtetëror për kontest ndërkombëtar të cilin e fitoi, që në fund përsëri me marrëveshje ta humbë atë. Hollësi të reja, por edhe dyshime për keqpërdorime, i ndan me publikun “fishkëllyesi” ose informator, i cili alarmon për biznes-vendimet e palogjikshme të qeverisë, të cilat me vete mund të tërheqin edhe përgjegjësi penale.
Investimet e huaja janë adut në çdo fjalim të lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Pa marrë parasysh se për çfarë ngjarje bëhet fjalë, ai nuk harron të shpallë “investim” të ri nga jashtë, duke potencuar numrin e vendeve të punës që do të hapen.
Në garën për të tërhequr sa është e mundshme më shumë investitorë, shkohet edhe në minus, gjegjësisht duket sikur më shumë të holla harxhohen për tërheqjen e investitorëve në shtet, sesa që ata e mbushin buxhetin shtetëror. Ashtu që shteti u ofron lirim nga detyrimet tatimore dhe doganore, logjistikë të infrastrukturës dhe subvencione, për çka harxhohen miliona euro nga të hollat e popullit.
Investitorët e huaj fërkojnë duart përfitimi i mirë dhe nga fuqia e lirë punëtore, kurse qeveria i jep vetes meritë për vendet e reja të hapura të punës. Të gjithë të lumtur dhe të kënaqur, përveç popullit, i cili paguan të gjitha këto mashtrime të marketingut.
 
 

A DO TË SHTHURET LOJA E TURBULLT DHJETËVJEÇARE ME “AGROPLLOD”? 
 

Për një mashtrim të tillë, me të cilin shteti mbetet i zhveshur, kurse investitori i lumtur dhe i kënaqur, alarmon një qytetar i brengosur, i cili duke pranuar rolin e “fishkëllyesit” ose informatorit, denoncon dyshim për sjellje kriminele të qeverisë, e cila që t’i bëjë qejfin investitorit, e ka dëmtuar buxhetin shtetëror për disa milionë euro. Informatori insiston të mbetet anonim, pasi që, si që thotë ai, frikohet nga hakmarrja. 
Përveç që ai vetë ka qenë i dëmtuar nga kompania ku në të kaluarën ai vetë ka qenë i punësuar, ai deklaron që janë dëmtuar edhe qytetarët e Maqedonisë. Tregon për keqpërdorim të supozuar të pushtetit ekzekutiv, i cili për shkaqe të panjohura deri më tani, vendos të shpërblejë kompaninë “Agropllod Resen”, me të cilën në fillim janë në luftë, por pastaj i lënë pajtohen, kurse fiton kompania.
Gjetjet e tija, si denoncues anonim, ia tregon organizatës joqeveritare “Transparensi Intërneshënëll Maqedonia”. 
Tregimi fillon para saktësisht një dekade, kur ndërrohet pronësia e ShA “Agropllod” Resnjë, gjegjësisht kur kompania privatizohet. Privatizimi bëhet në kohën kur pushteti është në duart e LSDM-së, gjegjësisht mu para zgjedhjeve parlamentare në vitin 2006. Në atë kohë, 38 për qind nga aksionet janë në pronësi të Gjorgji Kitanovskit, 25,39 për qind të Fondit të sigurimit pensional dhe invalidor të Maqedonisë (FSPIM), me të cilat udhëheq Ministria e ekonomisë, në kohën e ministrit Fatmir Besimi, 5 për qind të Fondit të SPIM, me të cilat udhëheq vetë Fondi dhe 31 për qind të kompanisë zvicerane “Swisslion”, e cila në atë kohë blen aksione nga një numër i madh aksionarësh të vegjël. 
Pas një kohe, qeveria  shpall “Agropllod”-in për fabrikë me interes shtetëror dhe shpall thirrje të hapur për shitje të aksioneve shtetërore. Kushti është që si ofrues mund të paraqitet dikush nga aksionarët që kanë 25 për qind të aksioneve. Thirrja u referohet 5.339 aksioneve të rëndomta ose 25,39 për qind të numrit total të aksioneve, të cilat deri atëherë kanë qenë në pronë të SPIM.
Në thirrje paraqitet vetëm “Swisslion”, i cili bëhet pronar i shumicës së ShA “Agropllod Resen” me 56 për qind nga numri total i aksioneve.                                                      Me marrëveshjen e blerjes, të lidhur në qershor të vitit 2006, aksionari i shumicës detyrohet të investojë edhe 7,8 milionë euro.
Bashkëbiseduesi ynë sqaron që menjëherë pas kësaj kompania zvicerane ka formuar tre kompani-bija: “Swisslion Agropllod ShPK”, “Swisslion Agrar ShPK” dhe “Prespaturist”.
- Ekzistojnë dyshime që tërë prona e “Agropllod”-it pronarët ua japin tre kompanive të reja, e nuk investojnë në “Agropllod”, por në këto kompani të reja. Pjesë e vogël e pronës është bartur si depozitë fillestare, kurse pjesa tjetër është transferuar me marrëveshje për bashkëpunim teknik e të biznesit, tregon informatori.
Bashkëbiseduesi ynë thotë që mu për këto shkaqe në maj të vitit 2008, por tani nën pushtetit e ri,  Prokuroria e shtetit në emër të Ministrisë për ekonomi ngrit padi kundër “Swisslion”, me të cilën kërkon të anulojë marrëveshjen për blerje të aksioneve. 
- Është përpiluar edhe ekspertizë nga Byroja për ekspertizë gjyqësore me të cilën është konstatuar që kompania nuk ka investuar në përputhje me marrëveshjen e blerjes, thekson bashkëbiseduesi ynë. 
Pas një viti nga ngritja e padisë, Gjykata themelore Shkupi 2 ka marrë vendim me të cilin ka ndërprerë marrëveshjen e blerjes dhe i ka urdhëruar Depozitues Qendror për letra me vlerë5.339 aksione të transferojë në llogarinë e Ministrisë të ekonomisë. Gjatë kësaj, gjykata nuk ka vendosur për pagesë për “Swisslion” për ndërprerje të marrëveshjes, gjegjësisht nuk ka marrë vendim  që tu kthejë të hollat me të cilat kanë paguar aksionet - 1,1 milionë euro, pasi që sipas vendimit gjyqësor  aksionet janë çvlerësuar.



QEVERIA DEKLAROI FITORE EDHE PARA GJYKATËS NDËRKOMBËTARE 

Me kthimin e aksioneve, ndërrohet edhe struktura e pronësisë në ndërmarrjen, gjegjësisht tani pronar i shumicës bëhet Gjorgji Kitanovski. Qeveria dhe Kitanovski emërojnë bordin e vetë udhëheqës, të cilët vullnetarisht kanë kryer rishqyrtim të punës së bordit të mëparshëm udhëheqës, ku janë konstatuar sërë parregullsish lidhur me transferimin e pronës në kompanitë-bija të “Swisslion”.
Në bazë të dyshimeve, “Agropllod ngre akuzë penale kundër të gjithë anëtarët e bordit të mëparshëm udhëheqës për shkak të abuzimit të pushtetit dhe autoritetit.  Prokuroria themelore publike nga Manastiri ka hapur hetim, e sipas kërkesës së tyre është përpiluar edhe ekspertizë nga Byroja për ekspertiza gjyqësore, e cila sipas bashkëbiseduesit tonë, i ka pohuar parregullsitë. 
- Për këtë gjykata në procedurën e njëjtë merr më tepër vendime me të cilat vendos masa të përkohshme me çka e ngrin pronën e “Swisslion” në Maqedoni, thotë informatori.   
E pakënaqur nga (pa)drejtësia maqedonase, kompania zvicerane ngre padi kundër Maqedonisë në Gjykatën e Arbitrazhit në Uashington, në bazë të Marrëveshjes për mbrojtje të investimeve mes RM dhe Zvicrës. Kompania e padit shtetin për marrje të paligjshme të aksioneve, për çka kërkohet dëmshpërblim prej 21 milion euro. Sipas informatorit, Gjykata e Arbitrazhit në korrik të vitit 2012 merr vendim me të cilin nuk ka konstatuar parregullsi gjatë ndërprerjes së marrëveshjes, kurse nuk ka pranuar as dëmshpërblimin e kërkuar, pasi që nuk ka pasur kërkesë për dëmshpërblim para gjykatave të Maqedonisë. Sidoqoftë, shteti është dashur t’i paguajë “Swisslion”-it 350.000 euro për shkak të kufizimeve të vëna mbi transhën e dytë të aksioneve, masa të përkohshme me të cilat ndalohet përdorimi i transhës së parë etj. dhe 350.00 u=euro për shpenzime gjyqësore. Por këto nuk janë masat e vetme që duhet t’i paguajë shteti. Ajo shpenzon edhe 3,6 milionë euro të mahnitshme për shërbime të avokatit për kontestin ndërkombëtar. Sidoqoftë, e kënaqur nga vendimi, Qeveria para publikut maqedonas me mburrje shpall fitore në këtë konteste.
 

A KA PASUR TAKIM TË FSHEHTË?

Së shpejti, sipas bashkëbiseduesit tonë, ka nisur të folët që gjoja ka pasur takim të fshehtë mes pronarit të kompanisë dhe eks kryeministrit Nikolla Gruevski. Prej atëherë, sipas tij, ndodhin hapa të palogjikshme, prej të cilave dobi ka kompania, kurse dëm shteti.
Në shkurt të vitit 2013, është ndërruar bordi udhëheqës i “Agropllod”-it.
Disa javë pas kësaj, “Swisslion” ngre padi kundër Fondit për SPIM dhe Ministrisë të ekonomisë për kthim të 1,1 milionë eurove me interes për 5.339 aksionet që janë marrë. Prokuroria e shtetit, nga ana tjetër, ngre padi me të cilën kërkon dëmshpërblim nga 4 milionë euro për shkak të çvlerësim të aksioneve dhe dividendë të humbur.
Pas dy muajve, dy anët në luftë bëjnë mundim për pajtim, gjegjësisht kompania ka dhënë propozim për pajtim tek Ministria e ekonomisë. Ministria e ekonomisë kërkon mendim nga Fondi i SPIM, kurse nga atje dërgojnë vendim pozitiv deri tek qeveria. Edhe pse më parë shteti shpalli fitore në kontestet me kompaninë, për shkaqe të panjohura përnjëherë vendosi të deklarojë armëpushim?!
Bashkëbiseduesi ynë thekson që është interesante që ky vendim për pajtim është dhënë më 4 korrik 2013, kurse në arsyetimin e Fondit të SPIM thuhet që me Vendim të qeverisë autorizohet Ministria e ekonomisë t’i jap pëlqim Prokurorit të shtetit  të lidh pajtimin, kurse konstatimi i tillë është marrë 4 ditë më vonë, në seancë të mbyllur të qeverisë. 
Në bazë të këtij konstatimi, zëvendës ministri i atëhershëm për ekonomi Hristijan Delev i ka dhënë pëlqim Prokurorisë të shtetit që të nënshkruajë pajtimin gjyqësor.  
Pas marrëveshjes së bërë, në seancë përgatitore në Gjykatën themelore Shkupi 2, më 12 korrik 2013 është lidhur pajtimi gjyqësor. Me pajtimin të dyja palët i tërheqin paditë, kurse “Swisslion” i kthen 5.339 aksionet, me çka përsëri merr pakon udhëheqëse në “Agropllod”.
 

MARRËVESHJA PËR PAJTIM ËSHTË SEKRET SHTETËROR?!

Sipas informatorit, me pajtimin e lidhur i është bërë dëm shtetit, gjegjësisht ajo ka kërkuar dëmshpërblim më të madh se 4 milionë, kurse kompania 1,1 milionë, e pos kësaj “Swisslion”-it i kthehen edhe aksionet, edhe pse gjykata vendase dhe ndërkombëtare kanë marrë vendim që janë në pronë të Maqedonisë. 
- Në rastin ekziston raport që është dukshëm i gabuar në atë që është dhënë. Kur kemi situatë të tillë, sipas Ligjit për të drejtën e kontratave, pala e dëmtuar, në këtë rast shteti, mund të kërkojë anulim të marrëveshjes, në afat prej një viti, por kjo nuk është kërkuar, thotë informatori.
Sipas tij, vendimi i tillë tërheq përgjegjësi penale për persona në qeveri dhe nga organet udhëheqëse që kanë qenë të përfshirë në pajtimin.
- Përgjegjësi penale duhet të kenë zëvendës ministri për ekonomi, Hristijan Delev, i cili ka dhënë pëlqim për pajtim, anëtarët e qeverisë të cilët në seancë të mbyllur kanë pranuar pëlqimin e zëvendës ministrit, anëtarët e bordit udhëheqës së Fondit të SPIM, të cilët kanë dhënë mendim pozitiv për pajtimin dhe Prokurori i shtetit, i cili ka nënshkruar pajtimin edhe atë pasi që kanë dëmtuar buxhetin për 1,1 milionë euro, konsideron bashkëbiseduesi.
Mbetet e paqartë pse qeveria përnjëherë ndërron mendjen dhe gjunjëzohet para kompanisë, gjegjësisht pranon pajtimin, edhe pse më parë ka konsideruar që shteti është dëmtuar edhe atë për 4 milionë euro?!
Përgjigjja fshihet në konstatimin e pajtimit të miratuar në seancën e qeverisë, por për fat të keq kjo do të mbetet enigmë për publikun pasi që është shpallur për sekret shtetëror.  Më saktë, nga Transparensi Intërneshënëll Maqedonia me kërkesë për qasje në informata me karakter publik nga Sekretariati i përgjithshëm i qeverisë kërkojnë kopje të konstatimit, por nuk e marrin.  Nga qeveria nuk u përgjigjen në afatin ligjor prej 30 ditësh, pas së cilës dorëzojnë ankesë tek Komisioni për mbrojte të së drejtës për qasje në informata me karakter publik. Pas një muaji marrin vendimin e Sekretariatit të përgjithshëm të qeverisë me arsyetim që Konstatimi është marrë në seancë të mbyllur të qeverisë, kurse shkaku ka qenë që materiali për të cilin është diskutuar ka përmbajtur informata që mund të ndikojnë në interesat ekonomike të RM, e shpallja e të cilave mund të çojë në pasoja dëmtuese për të njëjtit.
Të pakënaqur, nga Transparensi kërkojnë Komisioni të kontrollojë nëse informata e kërkuar vërtetë është sekret. Komisioni ka vepruar sipas ankesës dhe ka vendosur që informata e kërkuar vërtetë është sekret.  
Me këtë vendim përgjithmonë mbetet e fshehur se çka i ka çuar anëtarët e qeverisë të ndërrojnë mendjen dhe të lëshojë pe, por edhe t’i dhurojnë investitorit të huaj. 
Sidoqoftë, nga Transparensi Intërneshënëll Maqedonia theksojnë që ata akoma do të analizojnë rastin me qëllim që ta japin në Prokurorinë publike me të gjitha dokumentet të cilat i posedojnë për shkak të vërtetimit të korrupsionit të mundshëm dhe abuzim të pushtetit.


„SWISSLION“ NA PARALAJMËROI QË RASTI DO TË NA KUSHTOJË SHTRENJTË

Deri në mbylljen e këtij numri të javorit, nuk morëm përgjigje nga kompania “Swisslion” dhe nga “Agropllod”, të cilëve ua dërguam pyetjet me postë elektronike, për versionin e tyre të tregimit, kurse përgjigje nuk morëm as për pyetjen që e dërguam tek Prokuroria e shtetit. 
Sidoqoftë, kur shteti e ngrehi padinë e parë, pronari, biznesmeni serb Rodoljub Drashkoviq, atëherë theksoi publikisht që ajo që ndodh është shtypje politike.
- Nuk e di ku shkon kjo qeveri. “Swisslion” e bleu pakon shtetërore të aksioneve nga bursa. A është e dëmshme marrëveshja vetëm pasi që e ka lidhur një qeveri tjetër? Do të shkojmë në gjykatë ndërkombëtare dhe do të kërkojmë dëmshpërblim nga 25 milionë euro për humbje të reputacionit dhe dëm material. Këtë që e kalova në Maqedoni, nuk mundem ta kuptoj. Nuk e di kujt i hyn në punë përsëri të bie “Agropllodi”-i. Deklaroj që nëse dalim nga “Agropllod”, për gjashtë muaj kompania do të vijë në kufi me likuidim, deklaroi atëherë Rodoljub Drashkoviq.   
Biznesmeni serb atëherë dërgoi edhe paralajmërim që drejtësi do të kërkojë në gjykatat ndërkombëtare të cilat do të ndalojnë qeverinë maqedonase të merret me krim. Mes tjerash, deklaroi që kjo do ta kushtojë shtrenjtë Maqedoninë.
Ashtu edhe ndodhi. Nga fitues, shteti u bë pala dështuese. I humbi aksionet që i ktheu me vendim gjyqësor, por kot harxhoi edhe disa milion euro. 
Ose ndoshta nuk ka qenë kot? Duket që kur përfaqësuesit e partisë në pushtet harxhojnë të hollat e popullit, këtë nuk e konsiderojnë si humbje. Llogaritje bëjnë vetëm për të hollat që do të hyjnë në llogaritë e tyre. Atëherë është e rëndësishme që gjendja të jetë në plus.


Drashkoviq në 2006
QEVERIA DËSHIRON TË MË BËJË SHANTAZH

Biznesmeni serb në atë kohë madje ka akuzuar që me ngritjen e padisë qeveria dëshiron t’i bëjë shantazh atij.
- Disa qarqe të qeverisë ose të administratës bëjnë rrugë që të vijnë në shantazh. Me letër e informova kryeministrin Gruevski, ashtu që të shohim se si do të reagojë. Me siguri publikut maqedonas dhe atij evropian do tu raportohet se çka bëhet në Maqedoni. Për 10 vjet me punë të suksesshme nuk kemi pasur asnjë shkelje ekonomike, kurse në Evropë “Swisslion” punon nivel më të lartë të biznesit, tha në vitin 2006 Drashkoviq.
 
 
 Autor: Valentina Vurmo

Transparensi Interneshënëll Maqedonia zbaton projektin “Përfaqësimi i mbrojtjes së lajmëruese,përfshirë mediet dhe shoqërinë civile” i përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës. Storia hulumtuese është përgatitur në suaza të projektit, dhe nuk pasqyron qëndrimet e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës.
 
 
 
 
 

 
Tjetri >
MK mk
  en EN
facebook_32.png twitter_32.png blogger_32.png youtube_32.png
zgjedhjet2016.jpg
transparentnost_newsletter

Newsletter






Advertisement
Advertisement
Advertisement
 

Donatorët :

auswartiges.jpg
dep_symbol.jpg
european.jpg
norway.jpg
rijkslogo_en.jpg
ned-logo.jpg
osce.jpg
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
Transparency International - Macedonia. Të gjitha të drejtat e rezervuara.