Dhjetë vjet paraqet krime në policinë e Ohrit, MPB hesht!
whistleblowers-al.jpg
 07.09.2016 Polici rrugor Stevçe Stevoski prej fshatit Elshani të Ohrit, më 12 gusht të këtij viti ka gjobuar komandantin e policisë Vllado Siljanovski me gjobë 800   euro pasi komandanti me makinën e vet të paregjistruar ka parakaluar në vijë të plotë. Stevoski ka duruar mobingun për të ndërruar denoncimin, dhe tani më një dekadë pasi MPB-në e drejtojnë ministrat Jankuloska dhe Çavkov ai ka denoncuar krim të organizuar mes kolegëve të vet, manipulime zgjedhore, kontrabandë e automjeteve dhe dhunë, por në Shkup denoncimet e tija kanë përfunduar në sirtar. Madje edhe më keq, ai është dënuar dhe keqtrajtuar!
Informata se polici rrugor ka gjobuar komandantin për shkak të parakalimit të parregullt në vijë të plotë dhe pasi që makina e tij nuk ka qenë e regjistruar fillimisht tingëllon si lajm nga rubrika A ju besohet se? Jo se nuk ka shembuj të tillë në internet, edhe pse dominojnë rastet e vendeve demokratike dhe të civilizuara.  Por fakti që në kohë të regjimit të VMRO-së një vartës mund ti kundërshtohet eprorit, veç asaj edhe e ka gjobuar 800 euro dhe nën kërcënime dhe shtypje të mëdha polici nuk ka heq dorë të anulon denoncimin, kjo, nëse asgjë tjetër, së paku e ka vendin në rubrikën Heronjtë e lagjes tonë. 
 
 

Publiku maqedonas u njoftua me policin rrugor Stevçe Stevoski nga fshati Elshani, të Ohrit, kur në mëngjesin e 12 gushtit, në orët e herëta të mëngjesit në rrugën prej Ohrit kah fshati Podmolje, pasi ka vërejtur “Mercedes” duke parakaluar “Ford” në vend të ndaluar, në intervenim rutinor së bashku me disa kolegë ka qenë i detyruar të gjobon komandantin Vllado Siljanoski.  Eprori ka pritur të kalon lehtë që pasi bëhet fjalë për policë të tij-punëtorë, gjegjësisht të vazhdon rrugën pasi që kolegët me rang më të ulët ti kërkojnë falje dhe ta lënë të largohet.  Por, edhe pse kjo ka qenë praktika, prapë se prapë komandanti do të mban në mend atë mëngjes tërë jetën, ku një polic rrugor në emër të ligjit ka marrë guximin ti shkruan gjobë. 
 

NË VEND QË TË JETË SHEMBULL PËR INKURAJIM, STEVOSKI NËN MOBING 

Edhe atë jo vetëm 300 euro pasi ka parakaluar në vijë të plotë, por edhe 500 euro të tjera pasi që “Mercedesi” nuk ka qenë i regjistruar tre vitet e fundit. Nëse kontrollohet sistemi për regjistrim të automjeteve, gjegjësisht të policave të sigurimit, automjeti privat i komandantit ka qenë i siguruar në vitin 2010, pastaj në 2012 dhe në fund në vitin 2016, ditën e njëjtë kur është gjobitur, por disa orë më vonë, pasi që mëngjesin para ora 7 nuk kanë qenë të hapur kontrollet teknike që “Mercedesi” të regjistrohet para kundërvajtjes së trafikut. Sidoqoftë, komandanti ka përdorur privilegje dhe tre vite ka drejtuar automjet të paregjistruar?! 
Në kërkim të të vërtetës për ngjarjen kontaktuam policin Stevoski. Tingëllonte si njeri i sjellshëm dhe i guximshëm, por mosshfaqjen e tij në publik e arsyetoi me procedurën në MPB - do të shfaqet në gazetë pasi ministri Mitko Çavkov t’i lejojë me shkrim, pasi përndryshe mund të largohet nga vendi i punës, pasi që edhe ashtu çdo ditë i kërcënohen në vitet e fundit, e veçanërisht në dy javët e fundit pasi ka marrë guxim të gjobojë komandant. Të ballafaquar me principin e heshtjes për ngjarjet në policinë e Ohrit, ne nuk hoqëm dorë kërkesa për të gjetur se kush është në të vërtetë Stevoski, a i është hakmarrë personalisht komandantit, a e ka respektuar ligjin gjatë dhënies së gjobës dhe çka e ka motivuar që herët në mëngjes të ndjekë penalisht vozitësit e kundërligjshëm. 
Disa kolegë me të cilët i ndan hapësirat e punës na treguan që mëngjesin në vendin e njëjtë janë gjobitur edhe disa qytetarë, e për këtë Stevoski nuk ka dashur t’ia falë komandantit gabimin, por përkundrazi, menjëherë atë mëngjes i ka njoftuar edhe eprorët tjerë që kolegu i tyre ka bërë kundërvajtje të trafikut me automjet të paregjistruar. Ditët në vijim, si që tregojnë burime nga policia, ia kanë bërë ferr. Tre ditë Stevoski nuk ka pasur detyra, e gjithnjë i kanë bërë shtypje që të ndërrojë deklaratën, gjegjësisht të bëhet rikonstruim i ndryshëm për ngjarjen, kurse komandanti të shmang gjobën. Por Stevoski ka mbetur këmbëngulës dhe nuk ka lëshuar pe, kurse shtypjen e ka kuptuar si mobing dhe ka shkuar në pushim mjekësor. 
Mbetet e paqartë si ka arritur komandanti i policisë tre vite të drejtojë automjet të paregjistruar? Policë për “Fokus” tregojnë që çdo vit MPB nga qendra në Shkup lëshon telegrame deri në stacionet policore me të cilat insiston të bëhet listë e automjeteve të cilat i përdorin oficerët policorë, nëse ato janë të regjistruara dhe të dhëna tjera të nevojshme. Nëpër stacionet në vend mblidhen të dhënat e tilla dhe pastaj dërgohen në MPB. Nuk është e njohur nëse ky automjet i komandantit nga Ohri është paraqitur si i regjistruar.
Jozyrtarisht, këto ditë tek ministri i policisë Çavkov , është dërguar Ankesë nga Stevoski në të cilën ai paraqet eprorët e tij për mashtrim pasi që e kanë mashtruar pikërisht ministrin me paraqitjen e rrejshme për të dhënat rreth automjetit të Siljanovskit. Dërgimi i kësaj letre nuk do të jetë hera e parë për Stevoskin,, i cili është kriminalist sipas arsimimit e ka kryer Fakultetin për siguri, por ka qenë i degraduar gjashtë nivele në hierarkinë e policisë në disa vitet e fundit. Më parë, shumë herë duke u munduar të jetë i ndershëm, ka gjetur dhe ka denoncuar krim në radhët e policisë, zakonisht tek eprorët në polici. Pikërisht degradimet në karrierën e tij janë të lidhura me tridhjetë procedura disiplinore, gjegjësisht me përpjekjet e tija të ndalojë aktivitete kriminale. Si që ka denoncuar, ashtu i janë hakmarrë. 
 

PSE MPB NUK TREGON CILËT POLICË KANË HESHTUR PËR DHUNËN?

Komandanti i gjobitur nuk është i pari në listën e Stevoskit. Ai për kundërvajtje  të trafikut ka gjobitur shumë policë. Dominojnë denoncimet për parkim të gabuar. Por për shkak të madhësisë së rastit, këtë herë polici i trafikut u bë i njohur. Ata me të cilët folëm, na treguan që Stevoski i gjobit të gjithë. Por sa më fortë që i godet ai, aq më me vrull i kthehen goditjet.  Ka një rast nga vera e kaluar kur në një klub në Ohër ka pasur përleshje mes dy grupeve, e në klub dhe rreth tij ka pasur patrulla policore. Në vend që të denoncojnë dhunën, policët heshtur kanë shikuar incidentin, e pastaj as që e kanë denoncuar. 
I njëjti polic Stevoski ka shkruar ankesë deri në Sektorin për kontroll të brendshëm në MPB kundër një komandanti në stacionin në Ohër - D.D., kundër  shefit të sektorit për zbulim Z.S. dhe oficerë tjerë të policisë, pasi që kanë vepruar padrejtësisht dhe aspak nuk kanë marrë masa që të intervenojnë dhe të zgjedhin menjëherë rastin. Përveç që situata faktike nga dhuna ka qenë e qartë, ka pasur edhe dëshmitarë për ngjarjen të cilët MPB ka mundur t’i përdorë për përcaktimin e përgjegjësisë tek policët. Por në vend të kësaj, në përgjigjen nga MPB është thënë që është shikuar dokumentimi zyrtar për ngjarjen dhe nuk ka pasur prova për veprim padrejtësisht të denoncuarve. E dihet kush ka shkruar dokumentimin zyrtar për ngjarjen - ata që kanë qenë të denoncuar!
Ashtu, rasti me mosveprimin e policisë, njësoj si rasti ku policia nuk ka ndaluar dhunën mbi policit special në Shkup, për të cilën gjithashtu ekzistojnë denoncime në MPB për funksionarë të lartë policorë, mbeten me persona përgjegjës që nuk janë gjetur, por për këtë , denoncuesi Stevoski është ballafaquar me procedura të reja disiplinore, me dënime të reja. Nëse kanë llogaritur si duhet policët, atëherë ky polic - denoncues është gjobitur pesë deri gjashtë mirë euro për disa vite. Pyetje tjetër është pse i punësuar me rreth 30 procedura disiplinore është akoma në vendin e punës. Është e qartë që kreu i policisë e di që nuk i meriton dënimet, por janë dënim dhe paralajmërim që të ndalojë të “nuhasë” nëpër sjelljen kriminele të policëve. 
 

FUNKSIONARË POLICORË KANË  MANIPULUAR ZGJEDHJET?

Eprorë të mëparshëm të Stevoskit përkujtohen që kushdo që të jetë eprori i tij, direkt ose jodirekt, Stevoski ka mangësinë që ia ndjek gabimet dhe i “përndjek” të gjithë që keqpërdorin privilegjet policore për dobi personale. Në vitin 2014, gjatë procesit zgjedhor Stevoski ka vërejtur si funksionarë policorë me keqpërdorim të pozitës punojnë për partinë në pushtet. Edhe pse ka ekzistuar plan operativ për punë në ditën e zgjedhjeve, veçanërisht natën pas mbarimit të votimit, prapëseprapë disa funksionarë në MPB kanë penguar këtë. 
Gjegjësisht, disa patrulla policore kanë pasur detyrë të bëjnë raunde nëpër qytet dhe fshatrat me qëllim që të ndjekin nëse ndodh diçka me materialin votues. Por njëra nga patrullat e policisë së Ohrit ka qenë e ndaluar nga komandanti D.D. dhe ndihmës-komandanti O.N., të cilët me urdhër me gojë, diku rreth mesnatës, kanë ndërruar planin për punë. Disa nga policët janë kundërshtuar, veçanërisht Stevoski, i cili u ka treguar “më të fuqishmëve” që telegrami me shkrim është më e fuqishme se urdhri me gojë dhe për këtë ka insistuar të vazhdojë me planin e mëparshëm për patrullim. Kuptohet që nuk ka pasur sukses dhe bashkë me patrullën janë ndaluar dy orë të kryejnë kontrolle. E njëjta u ka ndodhur edhe patrullave tjera nga personat e njëjtë. Kjo do të thotë që policia lokale ka ndaluar policët të sigurojnë terrenin që të mundet dikush pas ditës së zgjedhjeve të manipulojë me materialin e zgjedhjeve!
Edhe për këtë rast ka pasur dëshmitarë, disa policë të cilët kanë qenë të ndaluar në kryerjen e detyrave nga eprorët e vetë, por Sektori për kontroll të brendshëm në MPB ka vendosur që nuk ka të fajshëm, pasi që kështu ka treguar dokumentimi zyrtar. Me sa duket dokumentimi përsëri është përgatitur nga komandantët e denoncuar. Pasi që, kjo është ngjarje nga koha kur MPB në ditën e zgjedhjeve ishte MVRO, sipas fjalëve të ministreshës së mëparshme Gordana Jankulloska.  
 

MASHTURES DHE KAMATARË - KUSH T’I DËNOJË?

Duke kërkuar nëpër arkivat e stacionit policor në Ohër hasëm edhe në një denoncim interesant të policit Stevoski, e cila me vite të tëra nuk ka përfundim. Ai para disa viteve ka siguruar prova dhe deklarata të dëshmitarëve që funksionarë policorë merren me mashtrim dhe zhvatje. Në denoncimin është theksuar që policët-dhunues kanë përdorur automjete zyrtare dhe armë zyrtare  kur kanë detyruar qytetarët t’ju japin të holla. Janë dhënë disa shembuj me emra dhe datë kur policët jashtë kompetencave ligjore kanë marrë pjesë në krim të dhunshëm. Edhe për këtë rast është e njoftuar qendra e MPB pasi që ka pasur dokumente me shkrim.
Edhe pse denoncimet e brendshme gjithnjë janë radhitur, gati se asnjëherë askush nuk është mbajtur përgjegjës. Madje, në Shkup nuk janë thirrur as denoncuesit për të dhënë prova. Gjatë dekadës së fundit ka pasur numër të madh të denoncimeve dhe  referimeve për individë që hyjnë në krim në policinë e Ohrit, por shumica prej tyre notojnë me sukses në ujërat e turbullta, kurse një pjesë prej tyre edhe ndërrohen nëpër funksione të përgjegjshme dhe të rëndësishme. 
Do të shfaqim edhe një shembull i cili është i shënuar në ditarin e policisë, e për të cilin në kohë ka ditur edhe vetë Jankulloska. Por si edhe në rastet e mëparshme, nuk është ndërmarrë kurrgjë. Kjo është një rast, së paku nga ajo që gjetëm me datën më të vjetër - nga viti 2008. Por pikërisht ky rast, si që përkujtohen burimet tona, e vë Stevoskin në “listën e zezë” tek eprorët dhe prej atëherë fillojnë hallet e tija. Ekipi i Stevoskit, nëse mund të besoni, ka gjetur 210 automjete motorike të kontrabanduara  nëpër rajonin Ohër-Strugë, mes të cilave edhe xhipi i futbollistit Dejvid Bekam, të cilin më vonë e përdorte Jankulloska. Pastaj ka siguruar prova që automjetet e tilla nuk duhet të regjistrohen në Maqedoni pasi që kanë qenë lëndë e kërkimit ndërkombëtar, por që MPB sidoqoftë, ka mundësuar që qytetarët, pronarë të automjeteve të tilla t’i regjistrojnë. Pastaj policë me sa duket kanë shkuar tek pronarët me referim që duhet t’ju paguajnë shumë të caktuar të shantazhit pasi që në çdo moment mund t’i marrin automjetin nën pretekstin e dokumenteve të falsifikuara. 
Edhe për këtë skandal kanë mbledhur prova dhe deklarata nga dëshmitarët, veçanërisht nga qytetarë të cilën kanë qenë viktima të shantazheve dhe të cilët i kanë njohur policët-dhunues. Pse tërë këto vite të kaluara nuk janë ndërmarrë masa nga MPB kundër policëve të pandershëm, jo vetëm në stacionin policor në Ohër, por edhe në vendet tjera në Maqedoni? Përgjigjet i dimë kohë të gjatë, e ato u konfirmuan me përgjimet e incizuara. Është e qartë që ministri Çavkov vazhdon aty ku ka mbetur me partizimin dhe joprofesionalizmin, si që është edhe konkursi i fundit për punësim në MPB, paraardhësja e tij Jankulloska. 
Në fund mbetet të shpresojmë që popullarizimi i rastit të fundit me dënimin prej 800 euro për komandantin, nuk do të mbarojë si të gjitha para asaj, por që më në fund dikush do të paguajë për gabimin. 
 

PËR FËMIJËT E STEVOSKIT NUK KA VEND NË POLICI

Dy djemtë e policit Stevoski janë paraqitur në shpalljen për 600 punësime të reja në MPB. Edhe pse e kanë pasur ndërmend të vazhdojnë në hapat e të atit, sidoqoftë për të dytë nuk ka pasur vend mes favoritëve për vend të punës. Për punësim në MPB, para zgjedhjeve, kanë konkurruar 4.500 të rinj, që tregon interes të madh. Mbetet e paqartë se si për aq kohë të shkurtër, një muaj, u kontrolluan të gjithë kandidatët dhe si zgjidhen më të mirët ose më të përshtatshmit.  
 

BULGAR KA VOZITUR XHIPIN E BEKAMIT

R. Todorov Dimov ka qenë emri i shtetasit të Bullgarisë i cili është vozitur me xhipin e vjedhur të Dejvid Bekamit, futbollistit të njohur nga Britania e Madhe. Ai është gjetur në Ohër dhe është munduar të prezantohet si biznesmen nga Austria pasi që dokumentet e xhupit kanë qenë austriake, por të falsifikuara. Pas marrjes së xhipit është konstatuar që është arritur nga Madridi në limanin në Selanik, e prej aty nëpër Maqedoni është dashur të shkojë në Shqipëri. 
 
 Autor: Ljubisha ARSIÇ
 
 
 Transparensi Interneshënëll Maqedonia zbaton projektin “Përfaqësimi i mbrojtjes së lajmëruese, përfshirë mediet dhe shoqërinë civile” i përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës.  

Storia hulumtuese është përgatitur në suaza të projektit, dhe nuk pasqyron qëndrimet e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës.