Raporti i Iniciativës Globale “Tentakulat e Krimit Ndërkombëtar”
24.07.2020 Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (Global Initiative against Transnational Organized Crime -  GI-TOC) publikoi një raport me titullin Tentakulat e Krimit Ndërkombëtar që identifikon dhe analizon zona problematike të krimit të organizuar nëpër botë ku zhvillojnë aktivitetet e tyre grupe kriminale nga vende të Ballkanit perëndimor.

Ndonëse Ballkani perëndimor shpesh portretizohet si vatër e nxehtë e aktiviteteve të paligjshme, ky rajon paraqet një treg relativisht të vogël për krimin e organizuar.  Fitimet e mëdha sigurohen në zona të tjera.  Ky raport tregon se si dhe përse grupe nga Ballkani perëndimor u përzien në aktivitete të krimit të organizuar në vende të huaja, veçanërisht në Afrikën e Jugut, Turqi, Australi, si dhe në disa vende të Amerikës Latine dhe Evropës perëndimore.
 
 Për një kopje të këtij raporti, mund të klikoni këtu.
 
 

Në pjesën më të madhe të këtyre zonave problematike, grupet kriminale nga Ballkani perëndimor kanë ngjitur shkallët e hierarkisë kriminale gjatë 20 viteve të fundit.  Burra dhe djem nga qyteza dhe fshatra të Ballkanit perëndimor tani organizojnë trafikimin e tonelateve të tëra me kokainë nga xhunglat e Amerikës Latine, nëpër portet më të mëdha të Evropës, deri në rrugët e kryeqyteteve evropiane.  Detarë nga qytete të vogla bregdetare po përdorin jahte për të dërguar drogë në Afrikën e Jugut dhe Australi, si dhe emigrantë nga Turqia drejt Evropës perëndimore. 

Trafikimi i kokainës është një nga aktivitetet më fitimprurëse për kriminelët nga Ballkani perëndimor.  Raporti tregon se si grupe nga rajoni janë angazhuar me financimin, transportin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha me kokainë, që dërgohen nga Amerika e Jugut në Evropë.  Kontakte të forta me grupe kriminale vendase, dhe aftësia për të blerë kokainë në burimin e prodhimit, paralelisht me praninë e tyre në disa nga qytetet port më të mëdha në Evropë, bëjnë që grupet kriminale nga Ballkani perëndimor të jenë në gjendje që të kontrollojnë të gjithë zinxhirin e trafikut të kokainës.  Kjo i ka dhënë mundësi që të ulin çmimet, duke bërë që përdoruesit e drogës të harxhojnë më pak, kanë siguruar një mall me cilësi më të lartë dhe me çmim të arsyeshëm, dhe si rezultat e kanë shkatërruar konkurrencën.  Falë këtij modeli biznesi, disa grupe kriminale nga Ballkani perëndimor tashmë bëjnë pjesë në elitën e krimit.

Raporti tregon se grupe kriminale nga Ballkani perëndimor, që zhvillojnë aktivitetet e tyre jashtë rajonit, janë modernë, dinamikë, dhe të zgjuar.  Këto grupe kanë treguar aftësi për t’u përshtatur, për të gjetur rrugë e mënyra të reja, dhe për të përdorur teknologjinë në avantazh të tyre: si për shembull, përdorimi i formave të koduara të komunikimit; eksplorimi i korridoreve dhe mënyrave të reja të trafikimit, si ‘narko-avionët’; pastrimi i parave nëpërmjet kriptomonedhave, parajsave financiare, dhe në vendet e tyre të origjinës. 

Pjesa më e madhe e grupeve kriminale nga vende të Ballkanit perëndimor zakonisht veprojnë pa rënë në sy dhe në mënyrë efikase në këto zona problematike nëpër botë, pavarësisht nga nami që kanë marrë si të dhunshëm.  Pjesa më e madhe e akteve të dhunës nga grupet kriminale duket se ka të bëjë me larje hesapesh brenda radhëve të tyre, apo me grupe rivale.

Raporti del me mendimin se nuk ka një ‘kartel ballkanik’, ndonëse grupe të ndryshme kriminale nga rajoni bashkëpunojnë më njëri-tjetrin, madje ka edhe grupe multietnike.

Ndonëse problemet që lidhen me krimin e organizuar në Ballkanin perëndimor janë transferuar në zona të tjera, aktivitetet e këtyre grupeve kriminale po dëmtojnë reputacionin e vendeve të origjinës, sidomos në lidhje me procesin e pranimit në Bashkimin Evropian.  Raporti gjithashtu vë në dukje se disa nga faktorët bazë që detyruan shumë persona nga Ballkani perëndimor që të largoheshin nga vendet e tyre në të kaluarën, ekzistojnë akoma: si mungesa e vendeve të punës, korrupsioni, mundësi të pakta për të bërë përpara, acarimi me qeveritë dhe hapat e ngadaltë në procesin e hyrjes në BE.  Raporti vëren se “nëse këto probleme nuk zgjidhen, mijëra të rinj nga vendet e Ballkanit perëndimor, apo në diasporë, do të vazhdojnë të jenë të gatshëm që t’i futen rrugës së krimit.”

Raporti bën thirrje për bashkëpunim më të efektshëm midis forcave të ruajtjes së rendit; për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive të kriminelëve; si dhe për shkëmbimin e informacionit midis forcave policore, edhe ngaqë kriminelët zakonisht përdorin nga disa identitete të rreme.  Raporti gjithashtu vë në dukje nevojën për reduktimin e kërkesës për mallra dhe shërbime që ofrohen nga grupe kriminale të Ballkanit perëndimor.  Ashtu si thuhet edhe në raport, “ndonëse disa analistë dhe organizata mediatike vënë alarmin rreth grupeve kriminale nga Ballkani perëndimor, shumë pak prej tyre përmendin faktin se këto grupe janë thjesht duke plotësuar nevojat e tregjeve të paligjshme në Evropën perëndimore”. 

Tentakulat e Krimit Ndërkombëtar: Zonat Problematike nëpër Botë të Krimit të Organizuar nga Ballkani Perëndimor është prodhim i Observatorit të Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, e krijuar nga organizata Iniciativa Globale.  Studimi bazohet mbi të dhëna dhe analiza të mbledhura dhe të bëra publike nga aktivistë të shoqërisë civile në Ballkanin perëndimor, si dhe nga ekspertë (veçanërisht nga gazetarë investigativë) në vendet ky zhvillojnë aktivitetin e tyre kriminal grupe nga Ballkani perëndimor.
 
Në lidhje me Iniciativën Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GI-TOC)
Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar është një organizatë ndërkombëtare jo-fitimprurëse që mbledh së bashku më shumë se 300 ekspertë të pavarur mbi çështje të karakterit ndërkombëtar dhe rajonal.  GI-TOC kërkon që të hapë linja të reja analize në mënyrë që të identifikojë dhe propozojë zgjidhje intelegjente ndaj sfidave që paraqet krimi i organizuar, dhe të shërbejë si platformë për shkëmbim informacioni dhe bashkëpunim ndërmjet qeverive, shoqërisë civile, studiuesve, sektorit privat, dhe faktorëve të tjerë.  Iniciativa Globale që u themelua në vitin 2013, e ka qendrën në Gjenevë dhe përfaqësi në çdo kontitent.  (Për më tepër informacion: globalinitiative.net)